Agjencia e Inteligjencës Financiare ishte pjesë e trajnimit treditor të organizuar nga EU4Law Enforcement Albania mbi forcimin e kapaciteteve të agjencive ligjzbatuese për gjurmimin e flukseve financiare përmes hetimeve financiare proaktive dhe paralele, me pjesëmarrjen e Ferdinando Rucco, Ekspert i Përhershëm Ndërkombëtar për Hetime Financiare në kuadër të projektit.
Aktiviteti u fokusua në forcimin e kapaciteteve operacionale për gjurmimin e flukseve financiare dhe goditjen e pasurive kriminale në hetimet që lidhen me krimin e organizuar, korrupsionin dhe pastrimin e parave.
Temat kryesore që u trajtuan gjatë këtij trajnimi përfshinë: hetimet financiare paralele dhe proaktive, gjurmimin dhe konfiskimin e aseteve, kriptomonedhat, sistemet bankare informale, përdorimin e mjeteve hetimore dhe mekanizmat e bashkëpunimit ndërkombëtar, si Zyrat e Rikuperimit të Pasurive.
Trajnimi mblodhi 22 pjesëmarrës nga AIF, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, SPAK, DPT dhe DPD duke promovuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe qasje të standardizuara hetimore.
Në përmbyllje, dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për projektin EU4Law Enforcement Albania dhe GIZ Albania për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e tyre në realizimin e këtyre trajnimeve me vlerë, si dhe për Koordinatorin e Projektit, z. Giovanni Pasqua, për angazhimin dhe koordinimin e suksesshëm të këtij aktiviteti.

