Në kuadër të Planit të Integruar të Trajnimeve dhe angazhimit të vazhdueshëm për forcimin e kapaciteteve profesionale në luftën kundër krimit të organizuar, AIF mori pjesë përmes përfaqësuesve nga strukturat e saj në trajnimin e organizuar nga UNODC, i realizuar falë kontributit dhe mbështetjes së Ambasadës së SHBA në Tiranë, përmes Zyrës për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) me temë: “Hetimi financiar dhe pastrimi i parave të lidhura me trafikimin e drogës, emigracionin e paligjshëm dhe forma të tjera të krimit të organizuar”, zhvilluar në datat 24–26 shkurt.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga SPAK, GJKKO, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, KLGJ dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, duke reflektuar një qasje të koordinuar ndërinstitucionale në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Trajnimi u fokusua në:
? Kuptimin e skemave të pastrimit të parave të lidhura me trafikimin e drogës dhe emigracionin e paligjshëm;
? Identifikimin e indikatorëve financiarë dhe analizën e transaksioneve të dyshimta;
? Zbatimin e teknikave moderne të hetimit financiar dhe konfiskimit të aseteve;
? Forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar;
? Trajtimin e rasteve praktike dhe praktikave më të mira.
Pjesëmarrja në trajnime të tilla, në bashkëpunim me partnerë si UNODC, forcon kapacitetet institucionale dhe mekanizmat për parandalimin dhe goditjen e krimit financiar.




