Më datë 17.02.2025, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe forcimit të kapaciteteve institucionale, u zhvillua një takim pune ndërmjet përfaqësuesve të Agjencisë së Inteligjencës Financiare (AIF) dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.
Gjatë takimit, Drejtori i AIF shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian, veçanërisht për Znj. Tarletti dhe Znj. Varlese, të cilat me përkushtimin, profesionalizmin dhe angazhimin e tyre kanë dhënë një kontribut të çmuar në forcimin e kapaciteteve operacionale të institucioneve. Ai shprehu falënderim të veçantë dhe të sinqertë për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e vazhdueshme të ofruar nëpërmjet projekteve të ndryshme, veçanërisht në kuadër të projektit EU4LEA2, duke theksuar vlerësimin e lartë për rolin e tyre në rritjen dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
Përfaqësuesit e AIF prezantuan prioritetet aktuale të institucionit, si dhe hapat konkretë të ndërmarrë në kuadër të zbatimit të Planit të Rritjes, duke evidentuar masat e ndërmarra nga institucionet përgjegjëse për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, si dhe zhvillimet në kuadër të zbatimit të planit të veprimit pjesë e Vlerësimit Kombëtar të Rrezikut. Në takim u trajtua gjithashtu progresi i arritur në procesin e harmonizimit të kuadrit ligjor me acquis të Bashkimit Evropian.
Në vijim, u diskutua mbi mundësitë e mbështetjes së mëtejshme në kuadër të projekteve, veçanërisht në drejtim të investimeve në sisteme dhe mjete teknologjike për AIF. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e forcimit të kapaciteteve teknike dhe infrastrukturore, me synim rritjen e efikasitetit operacional, përmirësimin e proceseve analitike dhe garantimin e një reagimi më të shpejtë dhe efektiv ndaj rreziqeve në fushën e parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të përhapjes të armëve të dëmtimit në masë.

