Më 13 Shkurt 2026 u zhvillua një takim pune mes përfaqësuesve të Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës, me pjesëmarrjen e drejtuesve të dy institucioneve dhe drejtorëve të strukturave të analizës financiare.
Takimi u mbajt në frymën e bashkëpunimit të ngushtë dhe të qëndrueshëm ndërinstitucional, me fokus në dimensionin operacional dhe strategjik, si dhe në përmbushjen e standardeve më të mira ndërkombëtare. Në qendër të diskutimeve ishte forcimi i mekanizmave të koordinimit për shkëmbimin e informacionit dhe praktikave më të mira, rritja e efektivitetit në identifikimin e skemave të dyshimta të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe konsolidimi i qasjeve të bazuara në risk për adresimin e kërcënimeve në zhvillim.
Një element i rëndësishëm i dakordësuar ishte shqyrtimi i mundësive për ndërmarrjen e iniciativave të analizave strategjike të përbashkëta, me synim një kuptim më të plotë të trendeve, tipologjive dhe rrjeteve financiare me interes të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës. Po ashtu, u diskutua zgjerimi i bashkëpunimit përtej kontakteve dypalëshe, përmes nismave rajonale dhe koordinimit më të gjerë, me synim rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit financiar dhe përmirësimin e reagimit të përbashkët ndaj rreziqeve të përbashkëta që prekin rajonin.
Ky takim konfirmon partneritetin e ngushtë institucional, si dhe angazhimin e përbashkët për bashkëpunim të intensifikuar dhe për ndërtimin e kapaciteteve në funksion të parandalimit dhe goditjes së kriminalitetit financiar.

