Agjencia e Inteligjencës Financiare

Përmbledhje e Aktivitetit të Trajnimit të Kryer me Ekspertët e OFSI-t

Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF), në bashkëpunim me Njësinë e Asistencës Teknike të Mbretërisë së Bashkuar dhe me ekspertë nga Zyra për Zbatimin e Sanksioneve Financiare (OFSI) e Mbretërisë së Bashkuar, organizoi një sesion trajnimi mbi zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare që lidhen me luftën kundër terrorizmit dhe përhapjes së armëve të dëmtimit në masë (ADM). Në këtë trajnim, morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe sektorit privat, të përfshirë në zbatimin e këtyre sanksioneve dhe kishte për qëllim rritjen e mëtejshme të kapaciteteve për zbatimin efektiv të detyrimeve për shpalljen e personave si financues të terrorizmit, në përputhje me rezolutën 1373 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke evidentuar rolin e rëndësishëm të koordinimit ndërinstitucional të këtij procesi dhe shkëmbimin e informacionit të siguruar nga institucionet përgjegjëse.

Në këtë seancë trajnimi, pjesëmarrësit u njohën dhe me përvojën e sektorit bankar në Shqipëri, në lidhje me zbatimin e detyrimeve për ngrirjen “pa vonesë” të fondeve dhe pasurive të tjera të personave të shpallur si financues të terrorizmit, në nivel ndërkombëtar. Në këto prezantime, u theksua roli i rëndësishëm i sistemeve të monitorimit të transaksioneve, kontrolli i vazhdueshëm i listës së personave të shpallur, procedurat e brëndshme të institucioneve dhe treguesit e efektivitetit, rëndësia e bashkëpunimit të institucioneve financiare me Agjencinë e Inteligjencës Financiare, në kuadrin e raportimit të fondeve dhe pasurive të evidentuara si dhe masat që ndërmerren për bllokimin dhe sekuestrimin e mëtejshëm të fondeve dhe pasurive të personave të shpallur.

Nëpërmjet tematikës së prezantuar,  doli në pah roli gjithnjë e në rritje i bashkëpunimit të institucioneve shtetërore me sektorin privat për të përmirësuar zbatimin efektiv të sanksioneve financiare kundër financimit të terrorizmit dhe financimit të përhapjes  së ADM, përmes komunikimit të vazhdueshëm dhe shkëmbimit të informacionit midis autoriteteve kompetente, institucioneve financiare dhe profesioneve të lira jo-financiare (DNFBP). Në këtë aktivitet u evidentuan dhe disa nga praktikat më të mira në nivel ndërkombëtar për rritjen e efektivitetit të partneritetit publik privat, rolet dhe përgjegjësitë e të dy sektorëve në zbatimin e sanksioneve financiare, përdorimin efektiv të të dhënave të regjistrave të pronarëve përfitues, sfidat me të cilat përballet sektori privat në drejtim të përputhshmërisë me detyrimet ligjore, nevojën për zhvillimin e mjeteve dhe zgjidhjeve teknologjike që mund të mbështesin proceset e monitorimit, zbulimit dhe raportimit të marrëdhënieve të biznesit apo transaksioneve që mund të kryhen me persona apo subjekte që i nënshtrohen saksioneve në nivel ndërkombëtar apo në nivel vëndi.

Në këtë aktivitet, pjesëmarrësit u njohën gjithashtu me disa nga gjetjet e raportit të Grupit të Posaçëm të Veprimit Financiar (FATF)  “Skemat komplekse të financimit të përhapjes së ADM dhe shmangies së sanksioneve”, sipas të cilit Republika Popullore Demokratike e Koresë dhe Republika Islamike e Iranit, konsiderohen aktorët  më të rëndësishëm në financimin aktual të ADM, për shkak të larmishmërisë së aktiviteteve nga të cilët sigurohen të ardhura (përfshirë dhe sulmet kibernetike) dhe globalizimit të sistemeve financiare. Në prezantimet u evidentuan risqet që lidhen me:

  • Fshehja e informacionit të pronësisë përfituese: Në këtë kuadër përdoren struktura komplekse të shoqërive, kompani fiktive dhe identitete të vjedhura për të fshehur aktorët e vërtetë.
  • Përdorimi i mjeteve virtuale dhe  teknologjive të tjera të reja: Neepeermjet krimeve kibernetike të mjeteve virtuale dhe përzierjen e tyre, për të shmangur gjurmimin, transaksionet dhe marrëdhëniet financiare të decentralizuara në internet.
  • Shfrytëzimi i sektorëve detarë: Me anee tee ndryshimeve tee informacionit të anijeve, transferimet nga anija në anije (transshipment) dhe pamundësimi i gjurmimit tee tyre për të fshehur lëvizjen e mallrave me përdorim të dyfishtë ose të sanksionuara.
  • Përdorimi i ndërmjetësve: Aktorët e përfshirë në financimin e ADM, përdorin një sërë metodash që kanë të bëjnë me kompanitë fasadë, shërbime tranziti dhe marrëdhëniet bankare korrespondente për të fshehur zinxhirin e veprimeve apo transaksioneve tee tyre .

Në këtë aktivitet ekspertët e OFSI, dhanë një sërë rekomandimesh, të cilat synojnë forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale për rritjen e efektivitetit të zbatimit të sanksioneve në Republikën e Shqipërisë.Në përfundim të trajnimit, u nënvizua roli i përputhshmërisë teknike dhe efektivitetit me standardet ndërkombëtare për Shqipërinë, pasi aktorët shtetërorë dhe jo-shtetërorë vazhdojnë të shfrytëzojnë dobësitë në kontrollet e financimit të terrorizmit dhe përhapjes së ADM.