October 26, 2020 Jonid Kanini

Trajnim për subjektet financiare

Trajnim për subjektet financiare

Në datat 22 – 23 Tetor 2020, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), ka zhvilluar në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, disa seanca trajnimi për personat përgjegjës të subjekteve Institucione Financiare Jo-Bankë, Shoqëri Kursim Krediti dhe Zyra Këmbimi Valutor.

Disa nga temat kryesore në këto aktivitete, kishin të bënin me legjislacionin në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe ligjit nr.72/2019 “Për masat shtrënguese ndërkombëtare”, veprat respektive në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë për pastrimin e produkteve të veprës penale dhe aktivitetit kriminal dhe financimit të terrorizmit,  detyrimet ligjore për zbatimin efektiv të dispozitave të ligjit nr.157/2013 “Për masat kundër financimit të terrorizmit” i ndryshuar për ngrirjen pa vonesë të fondeve dhe pasurive të tjera të personave të shpallur si financues të terrorizmit nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara,  Udhëzuesi për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare, vlerësimi i riskut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, procesi i komunikimit për ndryshimet në listën e personave të shpallur, tregues dhe tipologji në funksion të konsolidimit të mëtejshëm të sistemit parandalues, zbatimi praktik i kërkesave për vigjilencën në marrëdhëniet me klientët dhe identifikimin e tyre, raportimi i aktivitetit të dyshimtë në përputhje me ligjin nr.9917/2008 “Për parandalimin e pastrimit të  parave dhe financimit të terrorizmit”, i ndryshuar etj.

Gjatë këtyre trajnimeve, ekspertët e DPPPP ju përgjigjën dhe një sërë pyetjesh të pjesëmarrësve, të cilat kishin të bënin me zbatimin konkret të identifikimit të klientëve, raportimin elektronik në DPPPP, ruajtjen e të dhënave, pragun e raportimit për transaksionet me para në dorë, tregues të aktivitetit të dyshimtë për pastrimin e parave dhe financimit të terrorizmit.

DPPPP, do të vijojë të jetë e angazhuar në bashkëpunimin e mëtejshëm ndërinstitucional, në drejtim të rritjes së mëtejshme të kapaciteteve parandaluese të subjekteve të ligjit, bazuar  dhe në rekomandimet specifike që janë bërë në raportin e raundit të V të vlerësimit të Shqipërisë nga Komiteti Moneyval i Këshillit të Evropës.