Në kuadrin e zbatimit të standardeve ndërkombëtare të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) bashkëpunon me një sërë njësish homologe të inteligjencës financiare në mbarë botën.
Legjislacioni shqiptar nuk e pengon shkëmbimin dy ose shumëpalësh të informacioneve në lidhje me aktivitetet e dyshuara për pastrim parash apo financim terrorizmi, si rrjedhojë AIF mund të shkëmbejë informacione me çdo njësi homologe që do të kërkojë bashkëpunim.
Në rast se legjislacioni i ndonjërit prej vendeve të njësive homologe me të cilat AIF kërkon të bashkëpunojë, e pengon shkëmbimin e lirë të informacioneve, lind nevoja e nënshkrimit të Memorandumeve të Mirëkuptimit (MoU), të cilat parashikojnë bashkëpunimin në lidhje me shkëmbimin e informacioneve mbi çështje transaksionesh të dyshimta që mund të kenë të bëjnë me krime financiare për pastrim parash, financime të aktiviteteve të ndryshme terroriste si dhe krime të tjera të lidhura me to.
Njësitë homologe marrin përsipër të ofrojnë të gjitha informacionet që zotërojnë në lidhje me çështjet e hetuara, por në rast se këto informacione nuk mjaftojnë, ato mund të kërkojnë informacione të mëtejshme në strukturat e tjera të specializuara të shtetit.
Për shkëmbimin e informacioneve të mbledhura nga strukturat e tjera të shtetit (të ndryshme nga Njësitë e Inteligjencës Financiare) nevojitet një Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet homologëve, i cili mund të nënshkruhet vetëm në rast të një agreement mutual assistance ndërmjet strukturave ligjore të shteteve.
Më shumë shtete të tjera, anëtare të Grupit Egmont, legjislacioni i të cilave nuk e pengon shkëmbimin e informacionit, bashkëpunimi realizohet me anë të ESW (Egmont Secure Web) pa qenë i domosdoshëm nënshkrimi paraprak i një MoU.
Deri me sot AIF ka nënshkruar 43 MoU me njësitë homologe.