Në kuadrin e bashkëpunimit ndërinstitucional Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) shkëmben informacion dhe ka korrespondencë të vazhdueshme dhe intensive për çështjet e pastrimit të produkteve të veprës penale, veprave penale ose veprimtaritë kriminale që gjenerojnë produkte të veprës penale apo financimit të terrorizmit me institucionet e sistemit të drejtësisë penale, dhe autoritetet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit apo të inteligjencës.
Komiteti i Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave (KBLKPP) është përgjegjës për përcaktimin e drejtimeve të politikës së përgjithshme shtetërore në fushën e parandalimit dhe luftës kundër pastrimit të parave e financimit të terrorizmit dhe luan rol efektiv në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Komiteti drejtohet nga Kryeministri dhe në përbërje ka ministrin përgjegjës për financat, ministrin përgjegjës për punët e jashtme, ministrin përgjegjës për çështjet e mbrojtjes, ministrin përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, ministrin përgjegjës për çështjet e drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Komiteti mblidhet të paktën 1 herë në vit për të shqyrtuar dhe analizuar raportet për veprimtaritë e kryera nga autoriteti përgjegjës, si dhe raportet për dokumentet e përgatitura nga institucionet dhe organizmat ndërkombëtarë, të cilat ushtrojnë veprimtaritë e tyre në fushën e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Drejtori i Përgjithshëm i autoritetit përgjegjës (Agjencisë të Inteligjencës Financiare) vepron si këshilltar në mbledhjet e këtij komiteti.
Grupi Teknik Ndërinstitucional i Punës (GTNP), është ngritur nga KBLKPP si një strukturë e posaçme në funksion të rritjes së efektivitetit të luftës ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe përbëhet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit, Shërbimi Informativ i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë të Shtetit, Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe ILDKPKI; institucione të tjera të rëndësishme publike si Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Qendra Kombëtare e Biznesit, Bordi i Mbikëqyrjes Publike, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit. Me qëllim forcimin e partneritetit publik privat anëtarë të GTNP janë edhe përfaqësues nga sektori privat si Dhoma Kombëtare e Noterisë, Shoqata Shqiptare e Bankave, NAREA, IEKA, Shoqata e Agjencive të Këmbimit Valutor (AFEA) dhe Shoqata e Ndërtuesve.
KBLKPP ka ngarkuar GTNP me tre detyra prioritare për tu ndjekur gjatë vitit 2024:
- Hartimin e Strategjisë Kombëtare “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit 2024-2030” dhe planin e saj të veprimit;
- Përgatitja për raundin e 6-të të vlerësimit nga Komiteti MONEYVAL;
- Ndjekjen e zbatimit të Planit të Veprimit Kombëtar të Riskut (NRA).
GTNP ka ngritur 3 nëngrupe pune:
- Nëngrup I “Për asetet virtuale”;
- Nëngrup II në fushën “Për mbledhjen dhe cilësinë e informacionit për investigimet penale në lidhje me PP/FT”;
- Nëngrup III “Për analizën e riskut lidhur me kategoritë e OJF-ve që janë më të cenueshme për keqpërdorim apo abuzim për financim terrorizmi”.
GTNP mblidhet në mënyrë periodike me përfaqësues të institucioneve publike dhe përfaqësues të sektorit privat:
- Mbledhja datë 25.01.2024 (kliko këtu)
- Mbledhja datë 11.04.2024 (kliko këtu)
- Mbledhja datë 11.06.2024 (kliko këtu)