August 1, 2017 Mustafa Beqiri

Takimi i Task Forces, Gjokuta: DPPPP angazhim intensiv për Parandalimin e Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit

Më 31 korrik 2017, nën drejtimin e Kryeministrit, z. Edi Rama, u zhvillua takimi i radhës i Task Forcës Qendrore, për zbatimin e Planit Kombëtar të Luftës për Parandalimin e Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave si pjesë përbërëse e saj u përfaqësua nga drejtori i përgjithshëm z. Arlind Gjokuta,i cili theksoi angazhimin intensiv të DPPPP në zbatimin e detyrave dhe arritjen e objektivave të përcaktuara në Plan, duke e konsideruar luftën ndaj fenomenit si një sfidë të përbashkët kombëtare dhe si një betejë që duhet fituar me çdo kusht.

Veprimi proaktiv i DPPPP, drejtpërdrejtë në zbatim të planit të veprimit konsiston në: rritjen e kontrollit ndaj qarkullimit të parasë cash, në rritjen e kontrollit dhe cilësisë së analizës ndaj transaksioneve të dyshimta, forcimit te bashkëpunimit ndërinstitucional dhe dërgimin në organet ligjzbatuese të një numri të lartë të rasteve të dyshuara për pastrim parash.

Si rrjedhim i punës së bërë në 6-mujorin e parë të vitit është rritur ndjeshëm numri i Raporteve të aktivitetit të dyshimtë dhe janë referuar në Prokurori e Polici 178 raste të dyshimta për pastrim parash, nga të cilat për 31 raste, me vlerë totale 3.8 mln euro, është nxjerrë urdhër bllokimi i transaksioneve. 91% e rasteve të referuara kanë indicie Raportet e aktivitetit të dyshimtë të dërguara nga subjektet e ligjit, çka përbën tregues të rëndësishëm për efikasitetin e sistemit parandalues, në vend.

Gjatë fjalës së tij z. Gjokuta theksoi angazhimin intensiv të DPPPP, në kryerjen e verifikimeve në kuadër të procesit të vetingut dhe në drejtimin e koordinimin ndërinstitucional për vlerësimin e vendit nga Komiteti Moneyval i Këshillit të Europes, si elementë shtesë që do garantojnë suksesin afatgjatë në luftën ndajfenomenit të pastrimit të parave dhe aktiviteteve kriminale në tërësi.

Gjate takimit Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e vijimit të evidentimit, ndalimit dhe ndëshkimit të elementeve kriminale që kanë përfituar në mënyrë krejtësisht të paligjshme shuma të mëdha parash dhe që posedojnë asete kriminale.

“Prania e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave në këtë takim nuk është e rastësishme, por shpreh domosdoshmërinë që lufta në këtë front të përshkallëzohet në drejtim të elementëve kriminale, të parave të krimit dhe të aseteve kriminale.”- u shpreh ai, duke nënvizuar se është momenti që Policia e Shtetit të përgatitet për një operacion të madh kombëtar kontrolli të elementëve me rekorde kriminale në gjithë territorin e vendit, që janë simbole të këtyre feudeve të kultivimit të kanabisit, por jo vetëm, që kanë statusin e të fortit të zonës dhe që janë lehtësisht të evidentueshëm, lehtësisht të ndjekshëm penalisht dhe lehtësisht të goditshëm, përsa i përket aseteve që kanë në zotërim.