August 2, 2019 Mustafa Beqiri

Raste mashtrimi me transfertat ndërkombëtare

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të sistemit parandalues në vend informon subjektet e ligjit, individët dhe personat juridik në vend se kohët e fundit konstatohet një rritje e rasteve të mashtrimeve me tipologji kryesisht të ndërhyrjes nëpërmjet komunikimeve elektronike të disa individëve/personave juridik (klient banke) nga individ të panjohur, me qëllim devijimin e transfertave bankare në llogari të personave të përfshirë në mashtrim. Nëpërmjet ndërhyrjeve të jashtë ligjshme në postën elektronike të klientëve të bankës, këta të fundit udhëzohen me pretekste të ndryshme (auditimi, probleme me organet fiskale) që të ndryshojnë të dhënat e përdorura për transfertat (nr. i IBAN) duke u paraqitur si përfaqësues legjitim të kompanive me të cilët ata kanë marrëdhënie biznesi në nivel ndërkombëtar. Në këto raste klienti e merr të mirëqene këtë mesazh dhe kryen pagesën në një llogari tjetër bankare, e cila kontrollohet nga personat e përfshirë në këtë aktivitet të jashtëligjshëm. Në momentin kur klienti kontakton me kompaninë përkatëse (për arsye të ndryshme si mos dorëzim malli etj.) kupton që ka qenë viktimë mashtrimi, pa pasur mundësi rikuperimi të fondeve pasi ato tërhiqen menjëherë nga mashtruesit. Këto skema mashtrimi kanë prekur individë dhe biznese në vendin tonë, të cilët kanë pësuar humbje në vlera të konsiderueshme monetare dhe në këtë kontekst sa herë që konstatohen ndryshime në rrjedhën normale të procesit të pagesave në nivel ndërkombëtare, është e nevojshme që të ketë një komunikim paraprak (me telefon, faks, email) me kompanitë partnere për tu siguruar që ndryshimet janë bërë për arsye legjitime dhe miratohen prej tyre paraprakisht, përpara se të vijohet me transferimin e vlerave monetare.